30 vjetori i Meshës së parë publike në Shqipëri


Tridhjetë vite më parë, pra me 4 nëntorë të 1990 katolikë e jo-katolikë nga e gjithë Shqipëria u mblodhën te varrezat e Rrmajit, në Shkodër. Vëndi dhe data nuk qenë rastësishëm, përpara ndalimit të fesë (me 1967) varrezat e Rrmajit kishin kapelën për të kryer ritet e fundit, ndërsa vëndi sherbente si vëndvarrim për katolikët e Shkodrës - i cili vizitohej çdo vit në fillim të nëntorit për të përkujtuar të vdekurit. Duke pasur parasyshë rrethanat, bashkimi te varrezat qe rrezik i madh, e le më kremtimi i Meshës. Sidoqoftë, përkundër kërcënimit të madh, besimtarët si dhe liridashësit anti-komunist kishin marrë vesh për organizimin, kështu që po prisnin në ankth përpara ish-kapelës katolike priftin që të kremtonte Meshën e Shenjtë.


Me ndihmën e rinisë shkodrane, prifti trim Dom Simon Jubani, që kishte mbijetuar tortura të mëdha përgjatë burgimit, u parqit te kapela e varrezave. Aty improvizoi një altarë, si dhe solli me vete gjërat që nevojiteshin për të kremtuar Meshën e Shenjtë: Mesharin, kryqin dhe petkun meshtarak - të gjitha këto i kishte ruajtur në fshehtësi për shumë vite. Duke pasur parasyshë se ajo që kishte ndërmarrë mund t'i kushtonte jetën Dom Simonit, kështu që Atë Robert Ashta OFM veshu petkun meshtarak dhe ndejti gati që në rast se Dom Simoni qëllohej përgjatë Meshës ta zëvëndësonte dhe perfundonte kremtimin. Për fat të mirë, askush nuk u qëllua. Duhët theksuar se Mesha e Shenjtë atë ditë u kremtua sipas Ritit tradicional Romak në latinisht. Kjo sepse Dom S. Jubani si të gjithë meshtarët e tjerë nuk qenë të njoftuar mbi reformën liturgjike të 1970-ës dhe Konçilin e II të Vatikanit (1962-1965). Mesha solli shpresë të madhe jo vetëm ndër besimtarët katolikë por edhe në mbarë Shqipërinë. Shtatë ditë më pas, me 11 nëntorë Mesha e Shenjtë u kremtua sërish, duke përforcuar besimin dhe shpresën, e njëkohësisht duke shënuar edhe fundin e regjimit diktatorial-komunist./Mesha-Latine.blogspot.com



Comments