Mbi kritikuesit e traditës dhe liturgjisë katoliko-romake

 


Ndonëse është e çuditshme, shpesh ndodhë që vetë katolikët të kenë njëfarë kunderishtimi perbuzës ndaj Meshës tradicionale, gjegjësisht ndaj Ritit Antik Romak por edhe elementeve të tij në Meshën e Palit VI. Kritikat ndodhë që të arrijnë kulmin e absurdit, duke u shndërruar thelbësisht anti-katolike; duke e quajtur ‘të vjetruar’, ‘demode’, duke perqeshur lutjën në drejtim të altarit dhe kryqit (ad Orientem), koralet gregoriane dhe petkun meshtarak tradicional. Ndonëse Konçili i II i Vatikanit askund nuk ka promovuar ide të tilla, përkundrazi, të gjithë elementet që sot përbuzën janë promovuar fuqimisht nga Etërit e Konçilit (shih: Sacrosanctum Concilium). Kështu që liturgjinë ‘moderne’ ose ndryshe siç quhet ‘e reformuar’ nuk e ka promovuar e as kremtuar ndokush nga Etërit. Po jap ca shembuj konkret: Mesha me muzikë pop, me kitara; nga ana tjetër petk tejet anti-estetik për të qenë liturgjik; ndryshimi apo shtimi i fjalëve përgjatë meshës; altare që nuk u ngjajnë altarëve, etj. Të gjitha këto janë abuzime të rënda, e për fat të keq edhe të shpeshta të bëra nën emër të “thjeshtësisë” e ‘modernizmit. Liturgjia e tillë, pa këngë gregoriane e pa petk dinjitoz, gjoja e modernizuar, jo vetëm që është gjymtuar estetikisht, por sipas liturgjistëve e teologëve më të medhenj,  deformohët  teologjikisht dhe humbet në thelb.

E pikërisht, promovuesit e ideve të tilla, shpesh paraqitën me kritikat më të ashpra ndaj besimtarëve dhe meshtarëve që ruajnë e promovojnë kremtimin liturgjik tradicional, qoftë atë para konçilit apo atë mbas tij. 

Në një rast të tillë, i përballur me kritika të tilla, intelektuali katolik Robert De Piante qe përgjigur: “Ne jemi ata që katolikët ishin dikur. Nëse jemi gabim, atëherë katolikët ndër epoka kanë qenë gabim. Ne jemi ata që keni qenë dikur. Ne besojmë atë që keni besuar dikur. Ne adhurojmë ashtu si adhuronit ju dikur. Nëse jemi gabim tani, atëherë keni gabuar. Nëse keni pasur të drejtë atëherë, [edhe] ne kemi tani.” 

Kështu që deshirojmë t’u rikojtojmë të gjithëve, që nëse përbuzim liturgjinë tradicionale, atëherë përbuzim gjithë traditën e shenjtë bashkë me fenë katolike e apostolike! Konçili i II i Vatikanit, si dhe reforma liturgjike, nuk mund të interpretohët ndryshe veçse nën dritën dhe vazhdimësinë e traditës katolike. Ata që e refuzojnë këtë gjë, bëjnë gabim të njëjtë si ata që refuzojnë të njohin Konçilin. E mbi këtë gjë, Papa Benedikti XVI si dhe Prefekti i Kongregatës për Doktrinë e Fe kardinali Myller janë shprehur shumë qartë. Kushdo që mohon Konçilin e II, ose pranon Konçilin e II dhe mohon të mëparshmit, nuk mund të jetë katolik! (shih: The Ratzinger Report nga Vittorio Messori; Intervista e Kardinalit Myller me 13.9.2012).

- A. B.


Comments